Një ekspozitë fotografike krejtësisht e veçantë është hapur në një prej galerive të amfiteatrit të Durrësit. 14 individë me sindromën Down janë vendosur para objektivit të aparatit fotografik të Soela Zanit dhe tablotë e tyre do të qëndrojnë të varura në kavaleta deri ditën e shtunë.
“Para disa kohësh, kur nisa të interesohesha për fotografinë, rastisa disa autorë të cilët i shfaqnin këta persona me shumë dramaticitet, shumë bardhë e zi… deri diku të vinte keq. Njohja me Emanuelën dhe djalin e saj Arbrin, bëri që unë t’i shihja ndryshe gjërat, por edhe individët me nevoja të veçanta. Ema më tregoi se një person me sindromën Down është i komunikueshëm, ka dëshira, ndjenja dhe pasione njësoj si ne. Këtë e vërtetova pasi punova me disa prej fëmijëve me sindromën Down të fondacionit Down Syndrome Albania, përfshirë Arbrin, për të realizuar kartolinat e e fundvitit 2013 të këtij fondacioni që shiten për mbledhje fondesh”- shkruan fotografja.
Më tej ajo shton se të punosh me fëmijët me sindromën Down, është po njësoj si të punosh me fëmijë pa këtë sindromë. Të dyja palët janë njësoj të paparashikueshëm dhe njësoj të manipulueshëm.
“Vendosja e këtyre 14 individëve me sindromën Down nën objektivin e aparatit tim, nëpërmjet këtij projekti, bëri që unë të realizoj ekspozitën time të parë dhe sigurisht që ka një rëndësi të veçantë. Shkurt dua t’ju them që këta persona janë shumë të bukur. Shihini ata siç shihni veprat e artit. Në këtë ekspozitë ata kanë zëvendësuar personazhet më të njohura të historisë e artit, shqiptar dhe botëror. Me anë të kësaj ekspozite unë e thashë fjalën time… tani është radha juaj…”– ngre apelin e saj Soela për të gjithë njerëzit që të sensibilizohen e t’i shohin këta persona si njerëz të zakonshëm.
“Edhe unë jam vepër arti” tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve që shprehën vlerësimet e tyre për këtë punë të jashtëzakonshme të fotografes.
R.O.





