Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot “shtrim të detyruar në psikiatri” për Dijar Xhema, shtetasin e Kosovës, që u arrestua në Vlorë, pasi terrorizoi qytetin me thirrjet Allahu Ekber’, ‘Do ju vras të gjithëve’ dhe mori peng tre vetë.

Para seancës, babai i tij deklaroi për “News 24” se ai nuk ka lidhje me xhihadistë, por ka probleme të theksuara mendore.

Ai u arrestua në Vlorë pasi tentoi të marrë peng tre persona dhe i ka dhunuar ata. Dijar Xhema, 29 vjeç, ka lindur dhe është banues në Mitrovicë, Kosovë.

“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij ‘Audi’ me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës brenda një harku kohor prej 2 orësh”, thuhej në njoftimin e policisë të para dy ditëve.

Këto veprime ky shtetas i ka shoqëruar me thirrjet në vende dhe ambiente publike si “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do ju vras të gjithëve”.

Xhema, si gjatë arrestimit dhe në ambientet e shoqërimit, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.

Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva.

Ky person paraqet rrezikshmeri të theksuar shoqërore pasi në Kosovë është i evidentuar si person me precedent kriminal për tendencën e vrasjes, rrëmbim, dhunim personi, dhunim i punonjësve të organeve ligjzbatuese, mbajtje dhe përdorim pa leje të armëve të zjarrit.