Një 6-vjeçar është sulmuar për vdekje, pasi po përpiqej të shpëtonte të ëmën nga përdhunimi. Ngjarja ka ndodhur në Afrikën Jugore. Kutlwano Garesape, vëllai 8-vjeçar i Thabiso dhe e ëma Segomotso, po ecnin në këmbë për të shkuar në shkollë. Por, rrugës, gruaja u ndalua nga një burrë i cili i kërkoi para dhe kur hasi në qëndresë, ai e sulmoi dhe e shtriu në tokë. 

Mbrojtësi i saj në këtë situatë u bë i biri 6-vjeçar. Në përpjekje për të shpëtuar të ëmën, ai filloi ta shkelmonte sulmuesin. Segomotso tregon: "Thabiso u frikësua, por Kutlwano këmbëngulte të më ndihmonte. Ndieja dorën e burrit të më hiqte bluzën me njërën dorë dhe e kuptova që donte të më përdhunonte në sy të fëmijëve."

Sulmuesi u shpërqendrua nga Kutlwano, ndërkohë Segomotso arriti ta largonte atë. Në kohën kur gruaja dhe djali i saj më i rritur vrapuan të kërkonin ndihmë, ai filloi të shfrynte inatin mbi 6-vjeçarin. 

"U ndjeva e pashpresë dhe dola në rrugë për të kërkuar ndihmë, por asnjë makinë nuk ndaloi, ndërkohë që unë qaja dhe bërtisja se dikush po më vriste djalin."– deklaroi gruaja për mediat lokale. Kur Segomotso u kthye pas, ai po e rrihte djalin me shkop. 

"Po bërtisja dhe ndihesha e pashpresë"– vijon më tej ajo. Autori i dyshuar është arrestuar nga policia dhe ndodhet në paraburgim.

Pjesëtarë të komunitetit kanë protestuar jashtë ambienteve të burgut, duke i kërkuar gjykatës të mos japë liri me kusht për të. 

Një nga ata tha: "Ngjarja e bën të ndihet i pasigurt komunitetin, ngjall frikë tek të gjithë ne. Pas kësaj, kuptojmë që të gjithë jemi të pambrojtur." Sipas tyre, krimineli duhet të paguajë për atë që ka bërë.