Shtatë persona janë plagosur pasditen e sotme në Mat, si pasojë e një aksidenti automobilistik. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se një furgon pasagjerësh është përplasur me një automjet, në aksin Lis-Burrel, në afërsi të fshatit Lis.

Për pasojë, shtatë persona janë plagosur dhe janë dërguar menjëherë në spital, prej ku mësohet se një prej tyre është në gjendje të rëndë.

Identiteti i të plagosurve nuk bëhet ende i ditur, ndërsa policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.