Nata e mbrëmshme e “Verë në Epidamn” ka sjellë në galerinë e madhe të amfiteatrit të Durrësit 5 filma, 3 prej të cilëve me metrazh të shkurtër dhe 2 filma dokumentarë. “

Njëri prej filmave dokumetarë, i titulluar “Dinastia Tedeschini”, vjen me regji të Anila Varfit dhe bashkëskenariste Vali Qyrfyçin. Ky dokumetar rrëfen historinë e familjes Tedeschini, të zhvendosur nga Shkodra në Durrës dhe që ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e mjekësisë, drejtësisë dhe diplomacisë.

“Humanisti i heshtur” është filmi tjetër dokumetar biografik  që vjen me regji të Merita Çoçolit dhe ka si subjekt portretin Nazar  Mehmetit që ka dhënë një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare shqiptare.Çoçoli ka treguar për “Durrës Lajm” se në Ohër të Maqedonisë çdo verë organizohen evente të mëdha kulturore ndërkombëtare dhe quhet “Vera e Ohrit”, por një gjë e tillë nuk ndodhte në Shqipëri. Ajo ka vlerësuar pa masë projektin “Verë në Epidamn” të Driada Dervishit dhe ka theksuar se ndjehet e lumtur që është pjesë e një aktiviteti të tillë.

Një tjetër film që ngjalli kureshtjen dhe interesin e publikut, por këtë herë me metrazh të shkurtër ishte “Ana” me regji të  Ajola Dajës. Pas përfundimit të studimeve ky është realizimi i saj i parë i këtyre përmasave. Ajola  shpjegon për “Durrës Lajm” se filmi rrëfen historinë e një mësueseje që bie në dashuri me studentin e saj. Mes pasionit e aventurës, sigurisë dhe mirëqënies, Ana është mes dy zjarrëve dhe nuk di kë të zgjedhë. Të vazhdojë marrëdhënien e përheshme me të shoqin, apo të hidhet në krahët e të dashurit student që i ofron emocione e një dashuri plot pasion.

Edhe filmat “Buka” me regji të Blerta Kelmendit dhe “Mëngë këmishe" me regji të Suela Bakos, u pritën mirë nga publiku dhe sillnin një frymë të re në kinematografinë shqiptare. 

R.O.