Pavarësisht se cilësohet një person me rrezikshmëri të lartë, ka precedentë në nxitjen e trazirave dhe urrejtjes në stadiume dhe për një kohë të gjatë e kishte të ndaluar hyrjen në impiante sportive, autoritetet nuk bëjnë thuajse asgjë për të ndaluar Ivan Bogdanov. Me tatuazhet dhe lëvizjet e tij, ishte e pamundur të mos vihej re edhe në tribunat e “Mapei Stadium”, për ndeshjen e Europa League ndërmjet Sassuolos dhe Cervena Zvdezdas. 

Çudia më e madhe qëndron te fakti se 1,060 biletat e shitura për ekipin serb, në teori do të shpërndaheshin vetëm për “personat e njohur”. Në këtë aspekt, duket e papranueshme që në sektorin e tifozëve miq qëndronte edhe Bogdanov, që i zhveshur nga mesi e lart ishte një prej organizatorëve të tifozëve. I papranueshëm edhe fakti që mbështetësit e Cervena Zvezdës u lejuan të shfaqnin në stadium një flamur serb, brenda të cilit ndodhej harta e Kosovës. Prej frikës së madhe nga huliganët serbë dhe akteve të tyre vandale, dyqanet në Reggio Emilia qëndruan mbyllur gjatë ditës së ndeshjes. Ivan Bogdanov që në Itali njihet edhe si Ivani i Tmerrshëm është personi që shkaktoi trazirat në stadiumin “Ferraris” të Genova-s në vitin 2010, ku huligani serb dogji edhe flamurin shqiptar. Ai ishte mes personave që zbritën në fushë edhe në ngjarjet e turpshme të Beogradit, në ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 Tetorit 2014, në stadiumin e Partizanit, ku pas thirrjeve anti-shqiptare u dhunuan edhe futbollistët e Kombëtares. Prej ngjarjeve të paprecedenta ajo ndeshje u braktis dhe Shqipëria fitoi 3 pikët në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, duke siguruar më pas edhe kualifikimin historik në finalet e Euro 2016.