Një tjetër shtetas shqiptar është dëbuar nga Italia si masë kundër rrezikut terrorist në vend.

Ky lajm është bërë publik nga vetë ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano i cili ka deklaruar se ka nënshkruar urdhërin e dëbimit për Sajmir Hidrin me origjinë shqiptare e rezident më provincën e Ferrarës per shkak të aktivitetit të tij pro propagandës së shtetit islamik, raporton oranews.tv.

Shqiptari Sajmir Hidri, 34 vjeç ishte rezident prej shumë vitesh në provincën e Ferrarës, kur kishte mbërritur në moshë minorene.

Jetonte në komunën e Vigarano Mainarda prej 14 vitesh e prej vitit 2004, vetëm 23 vjeç, ishte sipërmarrës i shoqërisë së tij të ndërtimit “Alba Costruzioni” e njohur në këtë provincë sidomos për ndërtimin e vilave me dekore fasade prej guri.

Sipas rrëfimeve të banorëve të zonës e të miqve të tij Sajmir Hidri vetëm prej pak muajsh kishte ndryshuar sjelle, duke rritur mjekrën e duke u izoluar gjithmonë e më shumë.

Sajmir Hidri frekuentonte komunitetin mysliman në provincën e Ferrarës e sipas dëshmive kishte marrë pjesë dhe në iniciativën e fundit të pak javëve më parë, të ndërmarrë nga komuniteti musliman me një lutje të përbashkët në kishë në shenjë mesazhi paqe e tolerance mes feve.

Sipas Ministrit të Brendshëm italian ka shkuar në 108 numri i shtetasve me origjinë të huaj e rezident në territorin italian të dëbuar nga Italia.