Një tjetër grabitje me armë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në në fshatin Rrilë të Lezhës. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit. Gjatë përleshjes me grabitësit është plagosur kryefamiljari Vasil Sela. Sipas burmeve policiore dyshohet se ai ka bërë rezistencë ndaj edhe është qëlluar nga grabitësit. I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet hetimore, ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur se çfarë është vjedhur në shtëpi.
Vetëm dy ditë më parë, persona të maskuar vodhën 15 milionë lekë të vjetra si dhe një automjet në shtëpinë e këngëtarit Zef Beka në Ishull Shëngjin, duke terrorizuar familjen e tij. Autorët u ndoqën nga policia, por braktisën mjetin e vjedhur në një kanal dhe arritën t’i shpëtojnë policisë.





