"Mohimi i fejesës nga ana e prindërve të vajzës 20 vjeçare me të dashurin 13 vite më të madh duket se ka qenë shkaku i ngjarjes së rëndë të regjistruar mëngjesin e sotëm në qytetin bregdetar" thanë për DurrësLajm burime policore pranë Policisë së Durrësit.

Antonio Zani, 33 vjeç njihej prej kohësh me 20 vjeçaren A.D. dhe kishte vendosur ta zyrtarizonte lidhjen.

Po ndërsa ai kishte kërkuar dorën e saj, prindërit e 20 vjeçares ishin kundër lidhjes së tyre.

Diferenca e madhe në moshë mes dy të rinjve si dhe fakti se Zani ishte një person me precedent penalë i ka shtyrë familjarët e vajzës të refuzojnë propozimin e Zanit.

I ndier i fyer për shkak të refuzimit, 33 vjeçari ka shkuar të sqarohet me të dashurën e tij, në orët e para të mëngjesit, në shtëpinë ku ajo punonte si kujdestare për një person invalid.

“I bërë dru” nga hashashi Zani ka nisur të konfliktohet në fillim me fjalë me të dashurën e më pas në acarim e sipër situata ka degjeneruar deri në përplasje fizike.

Vajza ka disa plagë në trup të shkaktuara nga një thikë dhe ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërkohë që Zani është goditur me mjete të forta nga partnerja e tij.

Edhe ai ndodhet i shtruar në spital, por në gjendje arresti.   

K.H.