Ka shkaktuar të paktën 3 të vdekur zjarri që ra dje në Madeira, në Portugali, e që tashmë kërcënon edhe kryeqendrën e ishullit, Funçal, një qytezë me rreth 120 mijë banorë.

Mbi 1 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë dhe hotelet për shkak të avancimit të shpejtë të flakëve, ka deklaruar kryetari i bashkisë Paulo Cafofo për agjencinë e lajmeve “Lusa”. 

Në ishull gjatë verës ka turistë të shumtë. Autoritetet lokale për arsye sigurie kanë transferuar edhe pacientët e dy spitaleve të qytetit. 

Kryeministri portugez Antonio Costa ka njoftuar dërgimin e një avioni ushtarak me përforcime për të vënë nën kontroll flakët. Zjarri kërcënon tashmë edhe qendrën e qytezës Funçal, sidomos Baiksia dhe kishën Sao Pedro. 

Aktualisht në Portugali kanë rënë zjarre të shumta, kryesisht të qëllimshme, sidomos në veri të vendit, përreth zonës Viana do Kastelo.