Rrugët e Gugash Maganit dhe Slavko Lukic nuk ndahen, përkundrazi. Mbrojtësi serb është bërë pjesë e Flamurtarit duke ndjekur kështu gjurmët e trajnerit që pati sezonin e kaluar kur ishte pjesë e Teutës. Lajmi është zyrtarizuar nga vetë klubi vlonjat që në profilin e tij në rrjetet sociale ka bërë të ditur se mbrojtësi serb është bashkuar me skuadrën në fazën përgatitore që Flamurtari po zhvillon në Dravogard të Sllovenisë, duke publikuar dhe fotot e 27-vjeçarit në përgatitjet me fanellën e tij të re.

Gjatë sezonit të kaluar, kur Teuta ishte skuadra që surprizoi më tepër me formën e saj, Lukic ishte një ndër mbrojtësit më të spikatur të formacionit durrsak me Maganin, që i bindur te vlerat e tij, ka arritur ta bëjë të tijin edhe te Flamurtari . Vitin e kaluar në Kategorinë Superiore, Lukic u aktivizua në 23 ndeshje duke shënuar edhe 1 gol, 27-vjecari mund të luajë shumë mirë në qendër të mbrojtjes si edhe në krahun e djathtë.

Gjatë ditëve të fundit në Slloveni me skuadrën janë bashkuar dhe portieri Ilir Berisha si dhe mesfushori Hair Zeqiri që vijon rikuperimin, edhe pse nuk përjashtohet që të luajë disa minuta në miqësoren e kësaj të Enjteje që skuadra vlonjate do të zhvillojë në Slloveni me skuadrën vendase të Nk Krsko.