Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Shkodrës, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim pas përfshirjes së tyre në një konflikt me armë.
Ngjarja për të cilën bëhet fjalë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, kur mes shtetasve Prekë Miri, K.P. dhe S.S ka lindur një konflikt, i cili ka agravuar deri në përdorim të armëve të zjarrit.
Menjëherë efektivët e policisë kanë marrë masa dhe kanë konstatuar se Prekë Miri së bashku me shtetasin K.P., për motive të dobëta kanë kanosur me armë zjarri shtetasin S.S, 54 vjeç, banues në Shkodër.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 gëzhoja model 56, një fishek model 56, si dhe një kapak i kutisë së tytës së një arme zjarri.
Lidhur me ngjarjen u arrestuan:
-Prekë Miri, 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe municionit” , “Kanosjes” e kryer në bashkëpunim.
-Barut Rexhahmataj, 41 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit K.P., 30 vjeç, banues Shkodër, për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe municionit” , “Kanosjes” e kryer në bashkëpunim.





