Ndërkohë që kishat vendore të Gjermanisë përballen me dukurinë në rritje të braktisjes së tyre nga besimtarët tradicionalë, gjithnjë më shumë refugjatë të besimit islam zgjedhin të konvertohen në fenë e krishterë. Kështu, në Gjermani nga viti 2014 e deri tani, besimin islam me atë të krishterë e kanë ndërruar më shumë se 2000 veta.
Kalimi në të krishterë vihet re më tepër tek afganët dhe kurdët. “Sigurisht, një rol në këtë konvertim e luan fakti se në vendet e tyre të prejardhjes mbretëron një version më radikal i islamit”, shprehet koordinatorja e Zyrës për çështje integrimi dhe religjionit, Kathrin Anliker.
Shumica e refugjatëve që kalojnë në besimin e krishterë këtë e bëjnë duke kaluar në kishat e lira, jo tradicionale. Kështu, një kishë e lirë në Cyrih përmes pastorit të saj pers bën kthimin e iranianëve dhe afganëve në krishterizëm. Në meshat e kësaj kishe marrin pjesë mesatarisht nga 69 veta.
Por gjithnjë mbetet problematik motivi që i shtyn këta refugjatë të kalojnë nga feja islame në atë të krishterë.
Anliker dallon tri motive:
Së pari, ka refugjatë që në mënyrë të sinqertë ose nga bindja personale bëhen të krishterë. Së dyti, ka refugjatë myslimanë të cilët interesohen për krishterimin për të fituar qasje në shoqërinë vendore. Por njihen edhe raste kur refugjatët udhëhiqen nga iluzioni se duke kaluar në krishterizëm i përmirësojnë shanset e tyre për të fituar azilin.
Mirëpo Lea Ëertheimer nga Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) thekson se në vendimin për dhënien ose jo të azilit, nuk luan asnjë rol konvertimi i personit të caktuar nga islami në krishterizëm. “Ne gjithmonë shikojmë rastet individuale nëse veprohet sipas ligjit të azilit ose jo./albinfo.ch





