Problemet nuk kanë të sosur për Marsela Çaushin, gruan që u dhunua nga ish-bashkëshorti i saj në mes të Vlorës dhe në sy të fëmijëve të saj. Videoja e dhunës, që u përhap menjëherë në rrjetin social dhe solli reagime të ashpra, preku zemrat e mjaft qytetarëve.

Ata kontribuuan me shuma të ndryshme parash në një llogari bankare që u hap posaçërisht pas ngjarjes, që solli edhe arrestimin e dhunuesit Ilirjan Pajo.

Por paratë që iu dhanë asaj për bamirësi i janë mbajtur nga banka, pasi ish-bashkëshorti i saj kishte marrë një kredi në kohën kur ata ishin ende të martuar, ndërsa Marsela kishte dalë si person garant për shumën e marrë.

Pak ditë më parë, Marsela erdhi edhe në Tiranë për të kontaktuar drejtuesit e bankës, por këta të fundit nuk i dhanë dot zgjidhje.

Sipas Marselës e vetmja shpresë për të shlyer pjesën e mbetur të kredisë është kur ajo të punësohet.