Një ditë pas grabitjes spektakolare të një filiali të një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-bllokut në Tiranë, policia ka vënë në pranga 2 persona.
Të arrestuarit janë drejtori i degës së filialit të Bankës së grabitur, Luigj Gjonaj 50 vjeç, si dhe shefi i sigurisë Florjan Skarra, 36 vjeç.
Sipas policisë, të arrestuarit kanë neglizhuar detyrën në momentin e rënies së alarmit, pas futjes së grabitësve në dhomën e kasafortës.
“Arrestimi i shtetasve Luigj Gjonaj dhe Florjan Skarra, u bë për arsye se me veprimet dhe mos veprimet e tyre pavarësisht marrjes së sinjalit për vjedhje në bankë kanë neglizhuar kryerjen e veprimeve dhe marrjen e masave duke sjellë si pasojë vjedhjen e një shume të konsiderueshme të vlerave monetare që ndodheshin në kasafortën e kësaj banke”, thuhet ën njoftimin e policisë.
Burime pranë policisë bëjnë të ditur gjithashtu se dy të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar me grabitësit. Mësohet se përpara grupit të hetuesve, punonjësit e bankës janë shprehur se në momentin e rënies së alarmit ata kanë mbërritur në filialin e bankës, në zonën e ish-bllokut. Sipas dëshmive, ata kanë hyrë brenda bankës dhe kanë konstatuar se nuk kishte vjedhje e janë larguar.
Pas këtij momenti, është tërhequr dhe policia e cila ishte njoftuar në momentin e rënies së alarmit. Ndërsa grabitja është evidentuar vetëm mëngjesin e së hënës, kur punonjësit e bankës kanë hapur kasafortën. Grabitësit, të cilët u futën në brendësi të bankës, konkretisht në dhomën e kasafortës pasi çanë murin nga një lokal aty ngjitur, grabitën shumën e rreth 21 milionë lekëve të rinj.
Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve, por dyshohet se kamerat e sigurisë kanë filmuar fytyrën e njërit prej grabitësve. Vijon puna e grupit hetimor për identifikimin e tij.





