Lojërat Olimpike Rio 2016 janë hapur zyrtarisht me një ceremoni madhështore, në të cilën është zhvilluar edhe parakalimi i delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet.
Delegacioni shqiptar ka qenë ndër të parët që është paraqitur në pistën e stadiumit të famshëm “Marakana” në të cilën u zhvillua kjo ceremoni spektakolare.
Flamurmbajtësja e Shqipërisë ishte Luiza Gega, ndërsa përkrah saj në pistën e stadiumit zbritën edhe sportistët Izmir Smajlaj, Nikol Merizaj, Sidni Hoxha dhe Briken Çalja, si dhe stafi teknik dhe ai i KOKSH.
Pak më vonë, radhën e kishte delegacioni i Kosovës, me në krye flamurmbajtësen Majlinda Kelmendi.
Xhudistja shihet gjerësisht si një kandidate për të fituar medalje në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm ndërkombëtar.
Nëse Shqipëria ka vetëm 6 sportistë në këto Lojëra Olimpike, Kosova përfaqësohet me 8 sportistë.





