Policia austriake ka mbetur e turpëruar nga një operacion për goditjen e trafikut të drogës. Rasti është zbuluar gjatë seancës gjyqësore ndaj një shqiptari të arrestuar. Bashkëpunëtori i tij, i cili dyshohet se është shqiptar gjithashtu, i mori policisë mbi 100 mijë euro që po përdoreshin si kurth nga një oficer i kamufluar.

Shpërndarësi i drogës u largua me 102 mijë euro gjatë operacionit të dështuar me efektivin e kamufluar.

Incidenti ka ndodhur dhjetorin e kaluar në Salzburg. Gazeta “Kurier”, shkruan se një oficer policie u përpoq të joshte trafikantin e drogës duke u përpjekur të fuste atë në kurth me blerjen e 7 kg heroinë.

Pasi u takuan në aeroportin e Salzburgut në Austri, një prej të dyshuarve kërkoi që të kontrollonte paratë nëse ishin të vërteta.

Operacioni mori një kthesë pasi i dyshuari mori papritur valixhen plot me parë dhe u largua.

Pavarësisht se policia u përpoq ta kapte, nuk ia arrit dot.

Por, oficerët arritën të kapnin shokun e tij një 26-vjeçar shqiptar që po priste jashtë makinës që u sekuestrua nga policia në aeroporti.

Pavarësisht dështimit të këtij operacioni, në mars policia austriake arrestoi katër persona, pasi i mashtroi duke u kërkuar 10 kg kokainë për 400 mijë euro.