Ka startuar mbrëmjen e shkuar festivali veror, “Verë në Epidamn” në Amfiteatrin e Durrësit, me shfaqjen “Doktor Shuster” të teatrit të Korçës, “Andon Zako Çajupi”.

Në ceremoninë e hapjes së festivalit të parë të këtij lloji të mbajtur në Durrës, organizatorët e festivalit, regjisorët Driada Dervishi, Adelina Muça, pohuan se të gjithë artdashësit për herë të parë kanë mundësinë të shijojnë një verë ndryshe. Nëntë muza zbresin në Durrës, për t’u shijuar nga publiku, dhe këto nëntë muza janë shfaqje të ndryshme që deri më 20 gusht performohen në amfiteatër dhe në Banjat romake.

Festivali “Verë në Epidamn” startoi me Komedinë Doktor Shuster, të trupës së teatrit të Korçës “Andon Zako Çajupi”. Zamira Kita dhe Sotiraq Bratko në rolet kryesorë të doktor Shusterit kanë bërë që publiku i zgjedhur t’i duartrokasë gjatë.

Për herë të parë, shoqata “Eja në Teatër” e mbështetur nga Ministria e Kulturës, bashkia e Durrësit, organizon festivalin veror “Verë në Epidamn“. Turistët dhe artdashësit kanë mundësinë që të ndjekin, më 7 gusht “Mozart Coctail”, muzikë dhe balet.

PROGRAMI: 

11 gusht: “Një jetë me ty”, komedi, me autor e regji Erion Kame.

12, 13, 14 gusht: “Binjakët”, komedi premierë e Plautit, nga teatri “Aleksandër Moisiu”.  

16 gusht: “Muzat e Epidamnit”, Performancë, Regjisore Adelina Mu135a. (Banjat termale nën teatrin “A. Moisiu”).

18 gusht: “Epidamn Film”.

“Ana” Skenari dhe Regjia Ajola Daja.

“Mëngë Këmishe”, Skenari dhe Regjia Suela Baka.

“Buka”, Skenari dhe Regjia Blerta Kelmendi.

“Humanisti i heshtur” premiere, Skenari e Regjia Merita Cocoli.

Dinastia “Tedeschini”, skenari Vali Qyrfyçi e Rovena Rrozhani, Regjia Anila Varfi.

20 gusht: “Edhe unë jam një vepër arti”, ekspozita fotografike e artistes Soela Zani, ne bashkëpunim me “Down Syndrome Albania”.

 K.H.