Plagosja e gjashtëfishtë e ndodhur brenda në tragetin e linjës Durrës- Ankona ka ngjallur mjaft zemërim te publiku vendas në Shqipëri dhe në Kosovë, pas daljes në dritë të fakteve të reja nga hetimet.

Kosovari nga Mitrovica Altin Hakami, i cili udhëtonte nga Ankona në Durrës, transit për në Kosovë, është arrestuar pasi ka plagosur me thikë një 28-vjeçar malazez. Të plagosur lehtë kanë mbetur 36-vjeçari nga Kosova, bashkëshortja e tij dhe dy maqedonas e dy malazezë. Sipas dëshmive të dhëna në polici, dhe hetimeve të kryera, mësohet se sherri ka nisur pasi malazezët dhe maqedonasit kanë sulmuar 36-vjeçarin nga Kosova i cili ka qenë duke kënduar këngë patriotike të UÇK-së.

Burimet hetimore flasin se zanafilla e sherrit ka ardhur pasi shtetasi kosovar po këndonte këngë patriotike për Adem Jasharin dhe për të tjerë figura të Luftës së Kosovës. Kjo gjë nuk iu ka pëlqyer maqedonasve dhe malazezëve, të cilët qëndronin së bashku duke pirë birra, dhe e kanë ofenduar në serbisht kosovarin. Më pas edhe 5 shtetasit kanë kënduar në serbisht, duke ofenduar shqiptarin, dhe kaq ka bërë që të shpërthejë konflikti.

Shtetasit e huaj kanë qëlluar me shishe birre në drejtim të shqiptarit, ndërsa në sherr e sipër e plagosur me shishe nga maqedonasit dhe malazezët ka mbetur bashkëshortja e Altinit, Linda Hakami. Duke parë që të huajt kanë qenë të shumtë në numër, kosovari është drejtuar për nga banaku i lokalit dhe aty ka rrëmbyer një thikë. Më pas me thikë ka qëlluar mbi 28-vjeçarin nga Mali  Zi, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Me të mbërritur në port në mëngjes trageti, 28-vjeçari është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku bëhet me dije se situata është kritike.

Reagimi i publikut shqiptar e kosovar në këtë rast ka të bëjë me faktin se të gjithë shtetasit e huaj po ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa 36-vjeçari i cili është sulmuar në prani të dy fëmijëve të mitur dhe bashkëshortes, pritet të përballet me togat e zeza me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.

Policia:

Altin Hakami 36 vjeç lindur në Mitrovicë, emigrant me dokumente të rregullta në Londër udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën 6-vjeçare, transit nga Ankona për në Durrës, me destinacion final Mitrovicën. Rreth orës 03 e 30 të mëngjesit të djeshëm, në ambientet e tragetit ka plasur një sherr i madh ku u përfshi familja kosovare dhe pesë persona të tjerë, Dalibor Jovanoviç 36 vjeç, banues në Maqedoni;Viktor Krstevski 34 vjeç, banues në Maqedoni; Dragan Kovaçeviç  29 vjeç, banues në Malin e  Zi;  Dragis Gogiç 25 vjeç, banuese në Malin e Zi  dhe 28-vjeçari V. M. nga Mali i Zi. Si rezultat i sherrit, i plagosur rëndë me thikë ka mbetur 28-vjeçari V. M, nga Mali i Zi, i cili është dërguar në spitalin ushtarak në Tiranë. Shqiptari nga Mitrovica është i vetmi i arrestuar nga policia si autor i dyshuar i plagosjes. E plagosur ka mbetur edhe bashkëshortja e shqiptarit nga Mitrovica. Katër personat e tjerë hetohen në gjendje të lirë.

K.H.