Tarik Cmajcanin flet për të parën herë si “durrsak”. Serbo-boshnjaku, i cili para pak ditësh u zyrtarizua si blerje e Teutës, rrëfen arsyet se përse zgjodhi Shqipërinë për të vijuar karrierën.

Ai vlerëson prezencën e shpeshtë të skuadrës në Kupat e Europës, ndërsa zbulon se ka qenë patrioti i tij Altin Grboviç, i cili e bindi që të mos e mendonte dy herë ofertën që i erdhi nga “djemtë e detit”. Kujtojmë që mesfushori për dy vite ka luajtur në Superiore, duke mbrojtur ngjyrat e Shkumbinit në 2009-2011 dhe një gjysmë sezoni të Skënderbeut.

“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e skuadrës së Teutës dhe mund të them që kam bërë zgjedhjen e duhur. Skuadra ka në përbërje lojtarë të rinj dhe me perspektivë. Unë u bashkova me Teutën në Austri, kur ekipi po zhvillonte fazën përgatitore për në Ligën e Europës, ku edhe luajta në ndeshjet miqësore. Fatmirësisht arrita t’i bind drejtuesit. Këtu po kaloj shumë mirë dhe, për momentin, po më ndihmojnë Musta me Hilën që të mos ndihem i huaj në këtë skuadër dhe në qytetin e Durrësit që më pëlqen. Uroj që në vazhdim të tregoj më të mirën time duke u stërvitur fort, si dhe duke dhënë maksimumin në stërvitje, mbi të gjithë në ndeshjet që Teuta do të zhvillojë në sezonin e ri.

Për ekipin e Teutës më ka folur fjalë të mira miku im Altin Grboviç, i cili ka luajtur më parë në Shqipëri. Madje, ishte ai që më sugjeroi Teutën, pasi është një ekip që bën pjesë në 4-5 klubet më të mira në Shqipëri, por ka edhe një klimë miqësore në të gjitha drejtimet. Duke pasur parasysh që Teuta mori pjesë në Ligën e Europës, nuk e mendova dy herë ardhjen time këtu. Kam firmosur një kontratë 2-vjeçare dhe shpresoj që t’i shërbej ekipit, duke ua shpërblyer besimin që patën ndaj meje”, u shpreh përforcimi më i ri i skuadrës durrsake, Tarik Cmajcanin.

Sakaq, “djemtë e detit” vijojnë me përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e katërshes Begeja, Fezgo, Kapllani dhe Salillari. Me skuadrën po stërviten dhe elementët e rinj të klubit, lojtarët e ekipeve të moshave të Teutës.