Këngët patriotike që këndonte emigranti nga Mitrovica në tragetin e linjës Ankona – Durrës, janë bërë shkak i konfliktit të rëndë me dy maqedonas e tre serbë të Malit të Zi, me pasojë 6 të plagosur.
Altin Hakami 36 vjeç lindur në Mitrovicë, emigrant me dokumente të rregullta në Londër udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën 6-vjeçare, transit nga Ankona për në Durrës, me destinacion final Mitrovicën. Rreth orës 03 e 30 të mëngjesit të djeshëm, në ambientet e tragetit ka plasur një sherr i madh ku u përfshi familja kosovare dhe pesë persona të tjerë, Dalibor Jovanoviç 36 vjeç, banues në Maqedoni;Viktor Krstevski 34 vjeç, banues në Maqedoni; Dragan Kovaçeviç 29 vjeç, banues në Malin e Zi; Dragis Gogiç 25 vjeç, banuese në Malin e Zi dhe 28-vjeçari V. M. nga Mali i Zi. Si rezultat i sherrit, i plagosur rëndë me thikë ka mbetur 28-vjeçari V. M, nga Mali i Zi, i cili është dërguar në spitalin ushtarak në Tiranë. Shqiptari nga Mitrovica është i vetmi i arrestuar nga policia si autor i dyshuar i plagosjes. E plagosur ka mbetur edhe bashkëshortja e shqiptarit nga Mitrovica. Katër personat e tjerë hetohen në gjendje të lirë.
Policia
Policia e Durrësit ka bërë me dije se shtetasi kosovar Altin Hakani, ka plagosur me thikë disa të rinj nga Maqedonia e Mali i Zi, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë.
Në pranga përfundoi autori i kësaj ngjarjeje, Altin Hakami 36 vjeç, lindur në Mitrovicë të Kosovës dhe banues në Londër, i cili ka mbetur dhe vetë i plagosur së bashku me gruan e tij, por me plagë të lehta. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve Dalibor Jovanoviç 36 vjeç, banues në Maqedoni;Viktor Krstevski 34 vjeç, banues në Maqedoni; Dragan Kovaçeviç 29 vjeç, banues në Malin e Zi; Dragis Gogiç 25 vjeç, banuese në Malin e Zi dhe 28 vjecari V. M. nga Mali i Zi. Gjithashtu janë plagosur lehtë shtetasit Dragan Kovaçeviç, Dragis Gogiç dhe Viktor Krstevski. Gjatë konfliktit kanë marrë dëmtime edhe vetë autori Altin Hakami dhe bashkëshortja e tij shtetësja L. Hakami 35 vjeçe, banuese në Londër, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën”, bën të ditur policia.
Hetimet
Burimet hetimore flasin se zanafilla e sherrit a ardhur pasi shtetasi kosovar po këndonte këngë patriotike për Adem Jasharin dhe për të tjerë figura të Luftës së Kosovës. Kjo gjë nuk iu ka pëlqyer maqedonasve dhe shtetasve të Malit të Zi, të cilët qëndronin së bashku dhe e kanë ofenduar në serbisht kosovarin. më pas edhe 5 shtetasit kanë kënduar në serbisht, duke ofenduar shqiptarin, dhe kaq ka bërë që të shpërthejë konflikti. Shtetasit e huaj kanë qëlluar me shishe birre në drejtim të shqiptarit, ndërsa në sherr e sipër e plagosur me shishe ka mbetur bashkëshortja e Altinit, L. Hakami. duke parë që ata kanë qenë të shumtë në numër, kosovari është drejtuar për nga banaku i lokalit dhe atu ka rrëmbyer një thikë. Më pas me thikë ka qëlluar mbi 28-vjeçarin nga Mali i Zi, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Me të mbërritur në port në mëngjes trageti, 28-vjeçari është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku bëhet me dije se situata është kritike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale: “Plagosja e rëndë me dashje” në ngarkim të shtetasit Altin Hakami; “Plagosja e lehtë me dashje” në ngarkim të shtetasve Dalibor Jovanoviç, Viktor Krstevski, Dragan Kovaçeviç dhe Dragisa Gogiç.





