Një vajzë ka raportuar një ngjarje të pazakontë, që i ka lënë mbresa dhe një kujtim shumë të hidhur. Sipas “Jeta osh qef”, ku ajo ka bërë publike ngjarjen, vajza tregon se ishte nisur me kushërirat e saj nga Tirana për në plazh në Durrës dhe vendosi të përdorë fugonin e linjës për të mbërritur në destinacion.

“Sot vendosa të shkoja me kushërirat në plazh dhe pritëm 1 furgon te stacioni në Laprakë. Tha: Tani nisemi për Durrës… Ok, thamë ne dhe u futëm. Kaluan mbi 15 minuta dhe nuk u nis deri sa u mbush furgoni plot, plus që gjatë rrugës merrte kalimtarë dhe ata rrinin në këmbë… I them faturinos që ta mbajë tek Ura e Dajlanit dhe shoferit i them ta mbajë aty… Ok thotë”, tregon vajza.

Deri këtu gjithçka shkon mirë, por problemi nis në momentin që pasagjeret e nisura për diku tjetër, kuptojnë se shoferi i fugonit kishte ndryshuar tërësisht destinacion dhe i ishte drejtuar qytetit të Fierit, duke mos ndaluar në Durrës.

“Disa vajza ankohen thonë pse nuk mbajte aty ku të thamë dhe zbresin. Ai kishte marrë rrugë tjetër për në Fier dhe kishte ndërruar destinacionin. Neve na zbret në Kavajë në autostradë dhe thotë: Pse nuk më thatë që do zbrisnit aty? Fajëson dhe faturinon i cili zbriti para se të hynim brenda në Durrës për arsye se kishte probleme me policinë”.

Ajo tregon më tej se shoferi u kishte kërkuar dyfishin e faturës, ndërsa u tha: “Kaloni neper hekurat e autostradës”. Vajza bën me dije se kushërira e saj ishte shtatzënë, ndërsa shoferi as që donte t’ia dinte.

Njeriu më i paskrupullt që kam parë ndonjëherë… Targat fugoni i kishte AA 591 NN. Betohem se më doli nga mendja telefoni se do e kisha filmuar dhe denoncuar atë njeri të pavlerë”,  përmbyll letrën e saj vajza.