Vetëm pak orë përpara startit të Lojërave Olimpike, një valë e gjërë arrestimesh ktheu në plan të parë kërcënimin nga terrorizmi në Rio 2016. Më 28 Korrik, autoritetet braziliane ndaluan Chaer Kaloun, brazilian me origjinë nga Libani, i cili ishte kthyer si militant në Siri, ku vepronte për Shtetin Islamik.Në të njëjtën ditë, policia federale arrestoi edhe Fadi Nabha, një ish-militant i Hezbollah, që mbante kontakte të ngushta me organizatën terroriste libaneze.

Aksionet u realizuan vetëm pak ditë pas shoqërimit të 12 personave të akuzuar se po planifikonin atentate në emër të ISIS, pasi një pjesë e tyre kishin kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin ndërmjet Brazilit dhe Uruguait.Rreziku nga terrorizmi në Rio 2016 është i lart për të paktën tre arsye. Në Brazil ekziston një prezencë e madhe e radikalëve islamikë, sunnite dhe shiite. Kontrollet në kufijtë e Amerikës së Jugut janë thuajse inekzistentë, duke bërë që terroristët të qarkullojnë lirshëm. Gjithashtu ka handikap të madh ligjor, që kufizojnë kapacitetet dhe burimet e autoriteteve për të mbajtur nën kontroll organizatat terroriste.

Problemi për Brazilin ekziston në të ashtu-quajturën zonë të kufirit të trefishtë, me lumin Iguazú që krijon një ndarje natyrale ndërmjet Argjentinës, Brazilit dhe Paraguajit. Një vend me famë për kondrabandën, shitjen e produkteve false, pastrimin e parave nga kartelet e drogës, trafikun e armëve dhe drogës si edhe prodhimin e lëndëve narkotike sintetike.

Korrupsioni ka bërë që në këtë zonë të pranishëm të jenë edhe grupet terroriste, nga Hezbollah e Hamas, për të vazhduar me al-Qaeda-n dhe Shtetin Islamik. Kjo bën që autoritetet braziliane të mos e përjashtojnë faktin që një rrjet i tillë mund të furnizojë me armë dhe lëndë plasëse celulat e gatshme për të goditur gjatë Olimpiadës Rio 2016.