Partia Demokratike denoncoi sërish sot parcelat e mbjella me kanabis, sipas saj në të gjithë vendin.

Sekretari për aksionin qytetar, Ervin Salianji, tha se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, e ka kthyer vendlindjen e tij në hambarin e kanabisit dhe se i gjithë trafiku, sipas tij, zhvillohet me bekimin e kryeministrit Edi Rama.

“Prej 4 ditësh kemi denoncuar me video, foto, prova të dorës së pare, luginën e drogës në Vlorë. Prej 2 ditësh kemi denoncuar me video, foto e prova hambarin e drogës në vendlindjen e Tahirit të Ramës, prej nga vijnë dhe pjesa më e madhe e krerëve të Policisë.

Edhe pse i treguam ne vend parcelat e me kanabis, asnjë masë, asnjë operacion. Arsyeja dihet, ky është biznesi qeveritar i Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Ai bëhet nën mbikëqyrjen e shefave të policisë, që janë sekserët e 30 përqindëshit për çdo parcelë.

Këto prova e dëshmi të siguruara nga Partia Demokratike. Ky biznes kërkon garanci e mbrojtje që në fazën e parë. Kërkon që ligji të mos funksionojë, kërkon që policia të mos funksionojë. Prej tre vitesh këtë pushtet e ka pasur dhe e ka ushtruar Edi Rama. Ndaj, Edi Rama është përgjegjës për çdo rrënjë kanabis që mbillet e trafikohet, sepse ai e lejon, ai e bekon dhe ai përfiton 30%. Taksa e famshme për milionat eurot e përmuajshme që po shkatërron vendin dhe po pasuron trafikantët dhe qeveritarët”, tha Salianji.

Duke marrë shkasë nga një vrasje e ndodhur rreth një javë më parë në Këlcyrë, një zonë e njohur për mungesën e krimeve, Salianji tha se 28-vjeçari Elidjan Pashaj u vra nga një trafikant i njohur droge nga Durrësi.

“Si rasti i një jave më parë që policia u mundua ta fshehë, ku 28-vjeçari Elidjan Pashaj nga Mallakastra, i detyruar nga varfëria, nga mjerimi, nga papunësia e krijuar nga kjo qeveri, ishte i detyruar të punonte në një parcelë droge në Këlcyrë. Aty ra viktimë e një trafikanti të njohur, i cili shkonte nga Durrësi në Këlcyrë dhe mbillte rrënjët e kanabisit, nën bekimin e shefave të policisë. Në Këlcyrë të Përmetit, në një rreth të qetë ku prej vitesh nuk kanë ndodhur vrasje”.

Për këtë ngjarje, është prangosur 65-vjeçari Kujtim Bejollari nga Durrësi.