Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, në një intervistë për një radion gjermane “Deutschlandfunk”, thekson se është e çuditshme se si gjyqtarët në Shqipëri janë njerëzit më të pasur, ndërkohë që kanë një rrogë mujore deri në 800 euro.
“Tingëllon e çuditshme, por në fillim të viteve 1990, të gjithë gjyqtarët ishin të kohës së komunizmit. Më pas nisi një kurs 6-mujor për të formuar gjyqtarët e rinj. E gjitha kjo bëri që korrupsioni të jetë një problem i madh i drejtësisë.
Me reformën në drejtësi, gjyqtarët do kalojnë në të ardhmen në një proces hetimi, për të zbuluar lidhjet e tyre me krimin e organizuar dhe për të mësuar për të ardhurat e tyre. Nuk është sekret, që disa gjyqtarë këtu janë ndër njerëzit më të pasur në vend- edhe pse marrin 800 euro në muaj”, tha Vlahutin.
Radioja gjermane shkruan se paketa e reformës në drejtësi ishte parashikuar të miratohej në fund të muajit mars, por ajo u miratua në korrik pas presionit të madh të ndërkombëtarëve veçanërisht ndaj Partisë Demokratike.





