Mediat dhe policia braziliane kanë konfirmuar sot shpëthimin e një çante të dyshimtë në mjediset e jashtme të stadiumit “Maracana”, aty ku më 5 gusht do të zhvillohet ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike “Rio 2016”. Por ajo që nuk dihet ende me siguri është nëse çanta e gjetur dhe shpërthimi i kryer nga policia ishte pjesë e një prove për një sulm anti-terrorizëm apo vërtet ishte një çantë me eksploziv. Policia e Rios bëri me dije se bëhej fjalë për një test dhe se në çantë nuk kishte eksploziv, por të kundërtën thonë mediat vendase. Mediat braziliane raportojnë se roboti i dërguar nga skuadra anti-terrorizëm pranë një çante shpine që ishte në pjediset e jashtme të stadiumit, shpërtheu sapo ra në kontakt me të. “Ishte një shpërthim i vërtetë, pasi në momentin që roboti pati kontakt me çantën, gjithçka u hodh në erë. Nuk bëhet fjalë për stërvitje”, raportuan mediat vendase. Gjithë ky konfuzion ka shtuar frikën për ndonjë atentat terrorist gjatë Lojërave Olimpike “Rio 2016” edhe pse janë vënë në dispozicion të këtij turneu mbi 22 mijë forca policiore dhe ushtarake.