Pas denoncimit të Partisë Demokratike gjatë ditës së sotme, për disa zona të mbjella me Kanabis Sativa, ka reaguar Policia e Shtetit.

në deklaratën për shtyp të Policisë së Shtetit theksohet se "lufta kundër kultivimit të kanabis nuk është e nuk mund të jetë provë e pretendimeve të PD, por vetëm provë e luftës që bën Policia e Shtetit ditë për ditë". 

 

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit, në mënyrë të përsëritur, falënderon PD për jehonën që i bën punës së saj.

Nuk janë të rralla rastet kur PD ka bërë politikë me punën e policisë, ashtu siç nuk është hera e parë që PD bën politikë me rezultatet dhe sukseset e saj.

Policia e Shtetit thekson se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është një luftë e përditshme. Këtë e dëshmojnë rezultatet e arritura, të cilat nuk kanë asnjë referencë krahasimi me kohën e qeverisjes së PD.

Lufta kundër kultivimit të kanabis nuk është e nuk mund të jetë provë e pretendimeve të PD, por vetëm provë e luftës që bën Policia e Shtetit ditë për ditë.

Ftojmë PD të denoncojë raste konkrete pranë autoriteteve të ligjit, e jo të bëjë politikë, aq më pak me vetë punën dhe rezultatet e policisë së shtetit në luftën kundër drogës.