Për herë të parë, ditën e nesërme më 2 gusht, çel siparin e tij në Durrës Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip.

Për 5 ditë me radhë, qyteti i Durrësit do të ketë vëmendjen letrare mbarëkombëtare. Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip do të hapet ditën e martë, ku mbi 70 shtëpi botuese nga 7 vende si Shqipëria, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali Zi, Rumania, do të promovojnë librat shqip për të gjithë të apasionuarit pas letërsisë shqipe. Ky panair ka për qëllim promovimin e artit dhe kulturës nëpërmjet aksit Durrës-Tiranë. 

Aqif Hysa, në pozicionin e drejtuesit kryesor të këtij eventi dhe përfaqësues i shoqatës kulturore – artistike “DURANA”, gjatë një konference për median, ka bërë të ditur se “synimi i këtij panairi është ruajtja dhe përhapja e gjuhës së bukur shqipe, në trevat shqipfolëse nëpërmjet librit dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se ky panair i shërben shkëmbimit të vlerave”.

“Ftojmë të gjithë pushuesit, vizitorët, qytetarët, që do të jenë përgjatë këtyre ditëve në Durrës, që të afrohen sado pak me librin. Ky panair ka për qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, vizitorët e tij, turistët vendas dhe të huaj, duke e lidhur ngushtësisht librin me turizmin përmes një panairi tematik, i pari i këtij lloji për këtë qytet”, tha Hysa.

Panairi Ndërkombëtar i Librit është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të këtij sezoni veror për qytetin e Durrësit. Ai do të qëndrojë i hapur për 5 ditë (2-7 gusht) nga ora 18:00 deri në orët e vona të natës, në shëtitoren “Taulantia”.