Të paktën 10 punonjës policie në burgun e Shënkollit në Lezhë janë larguar nga detyra, ndërsa bashkë me ta është shkarkuar edhe një punonjës nga stafi civil i burgut.
Vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dy ditë pas ngjarjes tragjike ku një i burgosur humbi jetën për shkak të një zjarri që shpërtheu në burg.
Nga vendimi, është larguar edhe përgjegjësi i sektorit për çështjet shoqërore të burgut në fjalë.
Ndërkohë, vërejtje me shkrim është dhënë ndaj drejtorit të burgut në fjalë Gjergj Prendi, si dhe vërejtje dhe transferim për shefin e policisë së burgut Ferdinand Preçi.
Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra është dhënë për 19 punonjës të tjerë.
Për shkak se djegia e të dënuarit Flamur Sulaj ndodhi nga një bombol e vogël gazi ndërkohë që në qeli secili nga të dënuarit kishte nga një të tillë, ministri i Drejtësisë kërkoi gjithashtu rishikim të rregullores që u lejon të dënuarve mbajtjen e sendeve të tilla.
Prokuroria e Lezhës po pyet të dënuarit që kanë qenë dëshmitarë në ngjarje për të saktësuar nëse bëhej fjalë për vetëvrasje apo për një zjarrvënie aksidentale. Për këtë arsye janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë brenda korridoreve të burgut Shënkoll.





