Familjarët e Flamur Sulajt, i cili mbeti viktimë pasi u përfshi nga flakët në burgin e Shënkollit në Lezhë, akuzojnë autoritetet e burgut. I ati i i të ndjerit, Nuredin Sulaj, thotë se djali i tij është vrarë qëllimisht.

Ai mohon që i biri të ketë pasur probleme mendore siç pretendojnë autoritetet e bugut në Lezhë dhe thekson se do ta çojë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut në rast të mungesës së drejtësisë nga shteti shqiptar.

“Djali im është vrarë qëllimisht, nuk ka pasur probleme mendore siç pretendojnë. I kërkoj shtetit që të zbardhë ngjarjen, pasi djalin ma morën të gjallë dhe ma sollën të vdekur. Unë do e kërkoj të drejtën deri në Strasburg”, u shpreh Nuredin Sulaj.

Edhe djali tjetër i familjes, Agron Sulaj, i bën thirrje shtetit që të zbardhë të vërtetën, sepse bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndë.

Zjarri ra pasditen e së dielës në ambientet e burgut të sigurisë së lartë të Shënkollit në Lezhë, ku si pasojë humbi jetën 25-vjeçari Flamur Sula, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 10 vite heqje lirie për tentativë vrasje, ndërsa janë plagosur disa të tjerë.
Pas ngjarjes, 7 të plagosur janë dërguar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku dhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Të plagosurit kanë pësuar asfiksi dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa disa të burgosur të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit.