Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, bën me faj administratën e burgut të ShënKollit, të cilët kanë përgjegjësi për jetën e të dënuarve por dhe të paraburgosurve pas zjarrit që shpërtheu dy më parë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit.
Në njoftimin e zyrës së shtypit të kësaj ministrie, nuk jepen shumë informacion se kush janë konkretisht personat përgjegjës ndaj të cilëve ka nisur procedimi disiplinor. Nga shpërthimi i flakëve në burgun e Shën Kollit humbi jetën i dënuari Flamur Sula dhe 5 të tjerë u plagosën.
“Tashmë që Prokuroria ka një version të qartë mbi ngjarjen e ndodhur në burgun e Shënkollit, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka urdhëruar fillimin e procedimit disiplinor për të gjithë personat që kishin për detyrë të parandalonin këtë ngjarje. Ministri Manjani thekson se është përgjegjësi e administratës së burgjeve ruajtja e jetës dhe shëndetit të çdo të paraburgosuri apo të dënuari, prandaj kërkon dhe përgjegjësi maksimale për këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Gjithashtu, ministri Manjani ka urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të rishikojë edhe rregulloret që sanksionojnë elemente të sigurisë në burgje dhe njëkohësisht ka urdhëruar Drejtorinë e Policisë së Burgjeve të forcojë masat dhe kontrollet për sigurinë në institucionet penitenciare.





