Biznesi i qendrave telefonike (call center) po njeh një rritje shumë të shpejtë në Shqipëri vitin e fundit, i nxitur nga kosto e ulët e fuqisë punëtore dhe fakti që pjesa më e mirë e të rinjve e flasin mirë italishten.
Numri i call center-ave në vitin 2015 arriti në 847, sipas të dhënave të INSTAT-it, nga 414 që ishin në fund të vitit 2014.
Në krahasim me vitin 2010, kur sapo kishte filluar hapja e këtyre bizneseve në Shqipëri dhe kishte vetëm 75 të tilla, numri i kompanive është më se 10- fishuar (shiko grafikun).
Sipas të dhënave nga tatimet, numri i të punësuarve në këtë sektor ka arritur në 25 mijë. Rreth 30% e tyre janë të punësuar në tri call center-at më të mëdha në vend, “Intercom Data Service” (IDS), “Albacall” dhe “Albania Marketing Service” (Teleperformance).
Call center u bënë “shpëtimtari” i punësimit vitet e fundit, sidomos tek të rinjtë, që pavarësisht se kishin vërshuar në universitete shtetërore e private, nuk arrinin të gjenin punë në zanatin e tyre (ose ndonjëherë edhe nuk u leverdiste) dhe zgjodhën të punojnë në qendrat e thirrjeve telefonike. Pagat mesatare në këtë sektor luhaten nga 30 mijë në 70 mijë lekë në muaj, edhe më lart për menaxherët.
Pavarësisht rritjes, sektori po shfaq problemet e para. Konkurrenca po shtohet, pasi ky është një biznes që ka kosto minimale, që mund të hapet edhe me 10 mijë euro. Sipërmarrjet e vogla, sidomos ato me pronarë shqiptarë përballen me largime të kontraktorëve ose mospagesa nga ana e tyre. Ka raste që investitorë italianë vijnë dhe hapin dy-tre call center dhe i mbyllin brenda një kohe të shkurtër, duke lënë punonjësit pa paguar, siç ishte rasti i punonjësve që protestuan pak javë më parë. /Monitor





