Nënkampionia e Evropës në 3000 m me pengesa Luiza Gega, ka marrë një surprizë nga kolegët e saj të Policisë Ushtarake dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Ministrja Kodheli dhe efektivët e Policisë Ushtarake kanë vizituar atleten në fshatin turistik të Dardhës, ku po stërvitet në prag të Lojërave Olimpike Rio 2016.

Me rastin e shpalljes nënkampione e Evropës, pjesëtarja e Forcave të Armatosura, është nderuar nga ministrja Kodheli me Medaljen e Mirënjohjes për kontributin dhe vlerat e veçanta në shërbim të lartësimit të figurës së ushtarakut të Forcave të Armatosura, brenda dhe jashtë vendit.

Ministrja Kodheli e shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Pendavinji, përgëzoi atleten për rezultatin e shkëlqyer që arriti në Kampionatin Evropian, si dhe i uroi asaj suksese në Lojërat Olimpike Rio 2016.

Rekordmenia absolute e Shqipërisë falenderoi kolegët dhe Ministrinë e Mbrojtjes për mbështetjen si dhe personalisht ministren Kodheli, e cila siç u shpreh atletja, ka qenë zyrtarja e parë e cila e ka uruar, jo vetëm këtë herë, por edhe për arritjet në aktivitetet e tjera.

Luiza Gega u shpreh gjithashtu e inkurajuar për të arritur rezultate sa më të larta edhe në Rio 2016.

Ministrja Kodheli siguroi se mbështetja e Ministrisë së Mbrojtjes për nënkampionen e Evropës, do të vazhdojë të jetë maksimale dhe e konsideroi Luizën si përfaqësuesen më të denjë të Shqipërisë dhe FA shqiptare.

Gjithashtu, Kodheli përgëzoi dhe trajnerin e atletes, Taulant Stërmasin, me të cilin foli për mbështetjen e mëtejshme që Luiza ka nevojë.

Luiza Gega fitoi medaljen e argjendtë në 3000 m me pengesa në Kampionatin Evropian në Amsterdam duke vendosur njëkohësisht edhe rekord të ri kombëtar. Nënkampionia e Evropës do të mbajë flamurin shqiptar në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Rio 2016” që do të zhvillohen nga data 5 deri 21 gusht.