Për rreth 28 000 ha tokë, zonë urbane, bujqësore, kullotë, pyje në territorin që përfshihet në bashkinë e madhe të Durrësit nevojitet krijimi ose përmirësimi i informacionit hartografik kadastral në shkallë 1:500, 1:1000 dhe 1:2500, thotë Adhurim Qehajaj i drejtorisë së planifikimit dhe kontrollit dhe zhvillimit të territorit. Janë mbi 45 000 tituj pronësie që kanë problematikë me regjistrimin e AMTP-së (akti i marrjes së tokës në pronësi), si rrjedhojë edhe mungesë ose pasaktësi së të dhënave ose formatit të tyre të papërshtatshëm.

Kjo ishte arsyeja që, në përgjigje të thirrjes së dytë, shtylla e tretë të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, viti 2016, për shpërndarjen e financimit për projekte të reja nga granti “Shqipëria digjitale”, sektori i kadastrës, hartografisë dhe menaxhimit të gjeoinformacionit pranë drejtorisë së planifikimit dhe kontrollit dhe zhvillimit të territorit së bashkisë bregdetare ka aplikuar me projektin: “Modernizimi i shërbimit të informimit të qytetarëve nëpërmjet digjitalizimit të të dhënave gjeohapësinore të titujve të pronësisë dhe bizneseve së Bashkisë Durrës” duke u shpallur fitues me fond prej 15 milionë lekë. Synohet ngritja dhe përsosja e shërbimeve online të popullatës nga ana e bashkisë nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve të integruara të infrastrukturës së portalit vendor. Kjo do të mundësojë një pikë të vetëm shërbimesh (one stop shop). Krijimi edhe optimizimi i një bazë të dhënash digjitale gjeografike të saktë dhe të përditësuar, të integruar në portalin vendor GIS (geographical information sistem / sistemi i informacionit gjeografik), me të cilat do të kryhet verifikimi i titujve të pronësisë dhe bizneseve që operojnë në territorin e administruar nga Bashkia Durrës dhe taksat vendore që u përkojnë.

Th. M.