Plazhi i Gjirit të Lalëzit është mbushur me pushues ditorë, kryesisht nga kryeqyteti, që zgjedhin këtë plazh për shkak të afërsisë gjeografike. Por përveç kryeqytetasve, një pjesë e atyre që po pushojnë këtë fund korriku në Lalëz janë edhe emigrantë që janë kthyer për pushime me familjet e tyre, pranë të afërmve.

Pushuesit bien dakord në një pikë, numri i plazhistëve është më i ulët se vitet e shkuar, ndërsa këtë vit ka rritje të shërbimeve nga ana e subjekteve private që operojnë në këtë zone.

Sipas pushuesve, këtë vit janë ndërtuar tualetet publike, duke mundësuar higjenë më të mirë në të gjithë bregdetin e këtij plazhi.

Për emigrantët që vijnë nga Europa, çmimet janë të lira në plazh. “Për anglezët kjo do të ishte parajsë, ndërsa për vendasit 5 ditë pushime janë sa një pagë mujore” thotë një nga pushuesit, që ka ardhur nga Britania e Madhe.  

Emigranti thotë se kjo pasuri e madhe nuk shfrytëzohet siç duhet.

Nga 400 deri në 500 lekë në ditë janë çmimet për një çadër me 2 shezlonë, një picë shkon 600 lekë, ndërsa një birrë 200 lekë. Për shkak të afërsisë me kryeqytetin pjesa më e madhe e pushuesve janë ditorë.

K.H.