Një 40- vjeçar nga Kosova është plagosur teksa ndodhej në ambientet e ajrimit në burgun e Vaqarrit.  Sipas policisë, shtetasi Lili Dulaj, është qëlluar me armë zjarri në këmbë nga një person ende i paidentifikuar.

Ai është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Forca të shumta policie kanë mbërritur në institucionin e vuajtjes së dënimit, ndërkohë që po krehin zonën nga ku dyshohet të jetë qëlluar i paraburgosuri.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit.