*Mbi 3 milionë euro për fermë dhe fabrikë përpunimi shpendësh me destinacion kryesisht lokalet turistike dhe tregjet evropiane dhe aziatike
Të premten, më 29 korrik 2016, pronari dhe njëkohësisht drejtori i një kompanie hungareze të mbarështimit dhe përpunimit të shpendëve Ferenc Horváth ka shtruar në një nga lokalet e njohura te Bërryli në Durrës, darkë tradicionale hungareze, duke marrë me vete një shef dhe ndihmësin e vet. Ishte dhe një mënyrë për të promovuar gatimet me mish rose e pate. Teksa pulat në përgjithësi kanë popullaritet të madh, konsumatorët me më shumë receptorë shijesh mund të priren të provojnë diçka tjetër se produkte të thjeshta pule ose gjeldeti. Kompania hungareze “Holla Baromfi Kft.” i magjeps konsumatorët me prodhime rose dhe pate të një cilësie të zgjedhur dhe ofron një shembull të përsosur të industrisë ushqimore hungareze shumë produktive dhe tejet inovative, shkruan revista evropiane e ushqimit “European Food Journal”.
Nga ana tjetër, ky event ishte një marketing për të shpallur investimin hungarezo-shqiptar për një fermë-fabrikë për mbarështimin, therjen, ngrirjen, ambalazhimin e rosave e patave që sillen si zogj nga Hungaria dhe rriten për 44 ditë në Fllakë të bashkisë së Durrësit.
Këtu do të mbarështohen dhe përpunohen rreth15 mijë rosa dhe pata në javë. Investimi krejtësisht privat kap shifrën e mbi 3 milionë eurove.
Firma bashkëpunon me grosistë të mëdhenj jo vetëm në Hungari. Për rosat e pulat hungareze ka kërkesa të mëdha në vendet e Evropës (Rusi, Austri, Gjermani, Belgjikë, Itali, Republika Çeke, Sllovaki, Francë, Holandë) dhe në tregjet e Azisë (Japoni, Hong Kong). Investuesit kanë zgjedhur Durrësin si qytet turistik, pasi lokalet e shtrenjta mund të tërheqin një klientelë që dëshiron të konsumojë ushqime tejet ekzotike, si rosa dhe pula, aq të preferuara për drejtues shtetesh, biznesmenë, aristokratë, figura të shquara të artit, kulturës, sportit botëror etj.
Prandaj nuk është për t’u habitur pse Horváth ka projekte të ndryshme për të ardhmen e kompanisë. “Po marrim pjesë në një tender për financim nga BE-ja për kapacitete dhe zgjerim punësimi”, shpjegon administratori. Me këto vlera monetare, kompania ka në plan të avancojë operacionin e përpunimit të mëlçive të patës në një nivel shumë të lartë cilësie.
Info
Firma hungareze “Holla Baromfi Kft.” ndodhet në qarkun Baç-Kishkun (Bacs-Kiskun), në qytetin Kishkunhallash (Kiskunhalas). Për 15 vjet në fabrikë bëhet therja dhe përpunimi i shpendëve. Filloi me një numër të vogël zogjsh (pula) duke u rritur gradualisht. Më vonë prodhimi u zgjerua duke përpunuar mish e rosash, gjë që solli furnizues të rinj të shpezëve të gjalla dhe zgjerimin e tregut shitjes.
Më pas kemi filloi mbarështimi i rosave duke u marrë dhe me rritje dhe therje pulash. Kjo gjë nënkuptonte shtim furnizuesish si dhe lindi nevoja që drejtuesit të viheshin në kërkim të tregjeve të reja për produktet. Natyrisht ndryshimet, zgjerimet diktuan ndërtime dhe zhvillime teknologjike.
Aktualisht, kompania merret ekskluzivisht me përpunimin e mishit të shpendëve shtëpiakë (rosa dhe pata). Për rosat dhe patat përdoren ushqime me origjinë bimore, të certifikuara. Prodhimi dhe organizimi i prodhimit mbështetet në një sistem të gjurmueshëm. Firma ka numër eksporti të Bashkimit Evropian. Është vënë në praktikë sistemi i sigurisë ushqimore HACCP dhe sistemi i standardeve të menaxhimit të cilësisë ISO 9001.
Th.M.





