Rreth 42 persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas të shtënave me armë në festivalin e birrës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Në momentin kur janë dëgjuar të shtënat, gjatë ikjes, njerëzit janë përplasur dhe kanë filluar të shkelin njëri-tjetrin, duke bërë që dhjetëra prej tyre të pësojnë.
“Janë 42 të lënduar, kanë marrë lëndime nga armët e ftohta dhe ndrydhje nga paniku duke ikur, por nuk ka të lënduar me armë”, bëri me dije mjekja kujdestare në QKUK.
Këta persona kanë mbetur të lënduar nga një incident që ndodhi rreth orës 23:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku u raportua se një person ka gjuajtur me armë teksa po mbahej festivali i birrës “Beer Fest”.
Ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur në qendër të kryeqytetit kosovar, por sipas hetimeve të para, besohet se një i dehur ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në ajër, por kaq ka mjaftuar që turma të përfshihet nga paniku.





