Në maj të vitit 2015 arritën t’ia hidhnin “pa lagur” karabinierëve, pavarësisht se kishin kryer disa vjedhje në zonën e Bardit, në Itali.

Por pas hetimeve të hollësishme të policisë italiane, 3 hajdutët shqiptarë kanë përfunduar në pranga.

Ata janë Z.S., 26 vjeç, S.C., 25 vjeç dhe F.F., 22 vjeç.

Më 20 maj të vitit të kaluar, pasi kishin vjedhur një makinë tip BMW, në të njëjtën ditë ata kishin realizuar edhe disa vjedhje të tjera në qytet.

Megjithëse atë natë ata mundën t’u shpëtonin karabinierëve që u ishin vënë pas, u bë i mundur identifikimi i 26 vjeçarit shqiptar që drejtonte BMW e vjedhur. Z.S. ishte person i njohur për forcat e rendit, pasi rezultonte me precedent penalë.

Karabinierët arritën të gjenin vendin ku shqiptarët kishin vendosur sendet e vjedhura, e në të njëjtën kohë kamerat e sigurisë u dhanë mundësinë të vërtetonin pa pikë dyshimi se ishte pikërisht Z.S. që drejtonte automjetin e vjedhur.

Shqiptarin 26-vjeçar e tradhëtoi xhupi që mbante veshur, në të cilën dallohej e shkruara “Frank”. Xhupi në fjalë u gjet në BMW e braktisur. Ishte pikërisht kjo e shkruar që i dha emrin operacionit për arrestimin e shqiptarëve.

Pas ndalimit të 26 vjeçarit F.S. ishte e lehtë për forcat e rendit të arrinin të identifikonin dhe kapnin edhe dy bashkëpunëtorët e tij.