Pavarësisht se jemi gati në pikun e sezonit veror, çmimet e banesave në zonën turistike të plazhit të Durrësit vijojnë të jenë të lira.
Pushues nga Kosova dhe Maqedonia mbërrijnë çdo ditë në plazhin më të madh në vend, por kushtet ku është katandisur plazhi i Durrësit, kanë bërë që çmimet e banesave të jenë më të ulëta se një vit më parë.
Çmimi i dhomave në javën e fundit të Korrikut varion nga 10 euro pa kondicioner deri në 15 euro me kondicioner në natë.
“Kam 15 dhoma, as gjysmën nuk i kam zënë me pushues. Këta që vijnë i duan nga 10 euro nata. Tre euro për dhomë më shkon mua shpenzimi i korentit çdo natë. Unë u them 15 euro dhe këta nuk vijnë. I duan të lira,” thotë një banor.
“Kam 10 dhoma, por nuk më janë mbushur. I kanë të gjitha kushtet. Pushuesit nga Kosova e Maqedonia duan çmime të ulëta fare. Plazhi i Durrësit është katandisur si mos më keq” thotë një tjetër.
“Kam 6 dhoma, tre i kam mbushur e tre janë bosh. Dhomat kanë frigoriferë, dushe, soba e tualete me ujë të rrjedhshëm. Kushtet janë, por nuk ka pushues”, thotë një tjetër banore.
Të gjithë qytetarët që gjatë verës vënë në dispozicion të pushuesve ambientet e tyre me qira, e shohin këtë stinë si “shpëtimtare” përsa i përket të ardhurave të tyre.
Por këtë vit ata janë duke mbetur me “gisht në gojë”. Pushuesit nga Kosova më së shumti qëndrojnë në Shëngjin, sepse plazhi i Durrësit ka një sërë problemesh të rënda në infrastrukturë. Punimet kanë mbetur përgjysëm, ndërsa trafiku e mungesa e parkingjeve është një tjetër shqetësim i madh.





