Në një intervistë pa dorashka për Rolling Stone, Halsey ka rrëfyer çastin që i ka ndryshuar krejtësisht jetën.
Këngëtarja e hitit ‘Hold Me Down’, pak muaj përpara se të publikonte albumin e parë, ‘Badlands’, kuptoi se ishte shtatzanë. Njëmijë mendime, dilema, e pushtuan mendjen e saj të papërgatitur: Ishte 19 vjeç, sapo kishte nisur karrierën muzikore, e trembur nga mendimi i të tjerëve:
‘Po tani, çfarë do të ndodhë? Do ta humbas albumin? Do t’i humbas të gjitha? Apo duhet ta mbaj? Çfarë do të mendojnë njerëzit? Po nënat? Çfarë do të mendojnë të gjithë?’
Por mes gjithë këtyre, një mëngjes u zgjua në dhomën e hotelit, me krevatin të mbushur me gjak. Ajo tregon se filloi të bërtiste nga frika. Pas pak orësh, do të duhej të performonte në një koncert.
‘U thashë: ‘Duhet ta anulloj këtë koncert’, por të gjithë më thanë: ‘Është Vevo Lift, 3 milion njerëz…’. Askush nuk po dinte çfarë të bënim. Ajo dërgoi asistentin e saj për të blerë pelena për të rritur. I vuri, piu dy kokrra, dhe u ngjit në skenë.
‘Është performanca më e mllefosur që kam bërë gjatë gjithë jetë. Ishte momenti kur mendova me vete ‘Nuk ndihem më si një qenie njerëzore…kjo muzikë, ky vend, çfarëdo të jem duke bërë…Dola nga skena dhe shkova në parking, ku thjesht fillova të villja…’
Kjo përvojë ka lënë shumë gjurmë tek ajo.
‘E ndëshkoj veten aq shpesh. Sepse unë besoj se ndodhi vetëm për shkak të stilit tim të jetesës. Nuk po pija. Nuk po merrja drogë. Po punoja si kafshë- përfundoja në spital një herë në dy javë sepse isha e dehidratuar, anemike, më binte të fikët…trupi im u dorëzua!’
Edhe pse atë natë ajo zgjodhi të ngjitej në skenë, mësoi se dëshira e saj e vërtetë në jetë nuk ishte të ndiqte karrierën:
‘Dua të jem një nënë, më shumë sesa të jem një yll muzike. Më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë’





