Teuta përcakton planin përgatitor të verës pas eliminimit nga Europa League. Skuadra durrsake është vënë nën urdhrat e trajnerit Julian Ahmataj, i cili do të drejtojë ekipin gjatë sezonit të arshëm, pas largimit të Gugash Maganit.
Ish-lojtari i “Djemve të Detit” bashkë me klubin, ka hartuar edhe planin e fazës përgatitore pas grumbullimit të ekipit, duke caktuar si destinacion të ardhshëm Maqedoninë. Aktualisht, skuadra po stërvitet në qytetin e Durrësit për fazën e parë dhe në datën 8 gusht do të udhëtojë drejt qytetit të Ohrit. Në vendin fqinj, Teuta do të akomodohet për 10 ditë ku përveç seancave stërvitore ka planifikuar edhe disa ndeshje stërvitore, për të testuar formën e grupit aktual.
Ashtu si çdo vit, Teuta ka afruar në skuadrën e parë edhe disa lojtarë të rritur në radhët e ekipeve zinxhir, të cilët do të testohen dhe më pas është trajneri ai që do të japë miratimin përfundimtar për përfshirjen ose jo të tyre në skuadrën e parë, ndërsa klubi mbetet aktiv edhe në merkaton e verës për të forcuar sa më shumë grupin aktual që synon të përsërisë suksesin e sezonit të shkuar me objektiv kualifikimin në Kupat e Europës.
Skuadra vazhdon stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Ahmataj dhe ndihmësve të tij. Gjithashtu, me grupin Ahamataj po merr edhe lojtarë nga akademia të cilët po stërviten me ekipin e parë. Një strategji që klubi durrsak e ka ndjekur dhe sezonin e shkuar, ku për çdo seancë stërvitore grumbullonte dhe 3-4 lojtarë të rinj. Së bashku me organikën e Teutës po stërvitën edhe lojtarët e ardhur tashmë, pjesë e “Djemve të Detit”.
Ahmataj ka punuar pak dhe me skemat taktike duke qenë se nesër ai vihet përballë ish-trajnerit të durrsakëve, Magani, në ndeshjen që Teuta do të luajë me Flamurtarin. Një ndeshje kjo që u jep mundësinë të provojnë lojtarët e ardhur të të dy ekipeve. Një test mes ish-trajnerit dhe ishlojtarëvë të cilët së bashku arritën të kapnin Europën. Ndërkohë që merkato vijon të jetë e nxehtë por ende nuk bëhen të ditur emrat edhe pse në “sitën” e Ahmatajt dhe drejtuesve të klubit, janë disa lojtarë që mund t’i bashkohen “Djemve të Detit” për sezonin e ardhshëm.





