Një 27-vjeçar nga Shijaku është vetëplagosur me pistoletë nga pakujdesia.

Bëhet fjalë për Denis Shahinin, i cili dyshohet se është vetëplagosur me një armë zjarri, tip pistoletë e llojit TT.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kodër” të Shijakut, ku Shahini ka qenë duke qëndruar i ulur dhe sipas policisë, arma, të cilën e kishte në çantën e krahut (marsup) është shkrepur nga pakujdesia.

Policia e Shijakut me të marrë njoftimin ka shkuar menjëherë në vendngjarje duke siguruar dhe bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe mbledhjen e provave që do ndihmonin në zbulimin e së vërtetës.

Mësohet se ai ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se arma e zjarrit ishte pa leje.

Ndërkaq, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• arma e zjarrit tip pistoletë, e llojit  TT, model 54 , kalibër 7.62 mm;

• 1 krehër me 6 fishekë;

• 1 gëzhojë e plasur, e cila gjendet në folenë e fishekut;

• 1 telefon celular.

Burimet policore bëjnë të ditur se Shahini është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, pronës dhe mosbindje ndaj urdhri të punonjësit të policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit ”.