Koalicioni PS-LSI vijon të jetë në krizë të thellë. Edhe pse që kur ka nisur bashkëpunimi mes tyre ka pasur ulje-ngritje, ditët e fundit situata është ashpërsuar së tepërmi. Reforma në drejtësi ka ashpërsuar marrëdhëniet mes tyre, ndërkohë që nuk kanë munguar fyerjet dhe akuzat në distancë. Pak ditë më parë ishte deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj, që akuzoi fort deputetët Fatmir Xhafaj dhe Erjon Braçe, ndërsa së fundi ka nisur një konflikt edhe mes të rinjve të PS dhe LSI. Roli i Metës për reformën, i cili nuk lejoi kalim të saj pa opozitën, ka krijuar zemërim në radhët e socialistëve. Sekretarja për Rininë në PS, njëherësh dhe anëtare e Kryesisë, ka shpërthyer në akuza ndaj kreut të LSI, pas intervistës së tij në “Zërin e Amerikës”, ku tha se votimi me konsensus ishte patriotik, teksa dhe disa deputetë janë shprehur mjaft kritikë.

“Nëse do ekzistonte konsensusi patriotik, atëherë nuk do ekzistonin patriotët! Patriotët çajnë male për të kaluar trenin e historisë dhe nuk bëhen mullar së bashku nga frika se i ha bajlozi i matanë oqeanit. Më falni, po unë kam shumë respekt për patriotët dhe e kam të pamundur t’i shoh Samiun e Abdylin, Ismail Qemalin apo Fan Nolin, si paraardhës të konsensusit të prodhuar nga trysnia ekstreme e superfuqive aleate, që shkoi deri në paralajmërimin publik të SHBA për futjen në listën e zezë të Presidentit Obama, të atyre që sot na tregojnë patriotizmin konsensual”, ka deklaruar ajo.

Përplasje FRESSH-LRI

Deklarata e Elisa Spiropalit nuk ka kaluar pa debate. Madje, ajo ka provokuar një konflikt me të rinjtë e LRI, të cilët kanë reaguar shumë ashpër, duke e akuzuar dhe për vjedhje gjatë periudhës që ishte drejtoreshë në Doganë. Ishte nënkryetari i LRI, Klevi Pojana, ai që e sulmoi dje shumë ashpër Spiropalin.

“I thashë se ishte Elisa, ajo bëri çmos që dhe anglezet e ardhur në dogana t’i shqiptarizonte, dhe ja doli! Nënës i kishte mbetur si halë, një deklaratë e Elisës për çantën “LV” që gjoja e kishte marrë te gabi, dhe duke qenë se atje se kishte parë asnjëherë i hipën nervat, i kishte vënë vizën si gënjeshtare! Thuaj asaj pispiruqes, se patriotizmin mua s’ma vodhi as italiani e as gjermani, na u bë kjo të tallet me ne dhe ma mbylli telefonin! Si thash dot që Elisa s’është më drejtoreshë, e ka lënë gjyshe, dha dorëheqjen për arsye ‘patriotike’, s’ka ç’të të vjedhë më tani! Rri e qetë!’, tha ai.

Mirëpo ndaj tij ka reaguar Spiropali, duke e sulmuar fort nënkryetarin e LRI. Sipas saj reagimi erdhi pasi shumë persona i kanë kërkuar ta padisë.  

“Janë disa që e paskan lexuar e janë shqetësuar nga ky djali në fjalë dhe më ankoheshin sot. U bëra kurioze dhe e lexova edhe vetë. S'ia vlen fare, një Fahri Balli i vockël në tentativë me një mllef më të sinqertë se Farua po me një fjalor më të varfër se Sala. Kohë e humbur vajza e djema të FRESSH, prandaj më shumë higjienë në përzgjedhjen e leximeve nga rrjetet sociale. Ka kohë për kallëzime penale. Reforma në drejtësi sapo ka nisur”, tha ajo.

Por Spiropali nuk është e vetmja që ka sulmuar LSI dhe Ilir Metën, pasi pothuajse të gjithë deputetët e PS janë alarmuar nga qëndrimi i Metës. Të pyetur nga gazeta “Sot” disa deputetë si Namik Kopliku, Sadri Abazi, apo Arben Çuko kanë qenë mjaft të ashpër, duke e kritikuar Metën. Pra, në PS ka një frymë anti-Meta, duke treguar situatën e brishtë në koalicion. Nga ana tjetër, pritet që marrëdhëniet të tensionohen në ditët në vijim, pasi Meta do të mbajë të njëjtin qëndrim edhe për 7 ligjet e reformës. 

Reagon Dritan Ylli

Konflikti mes Spiropalit dhe nënkryetarit të LRI, është ashpërsuar dje pasi ndaj socialistes ka reaguar dhe drejtoi i LSI në Inspektoratin e Punës, Dritan Ylli, duke e cilësuar si mjerane Spiropalin.

“Dikush sot paska thënë për Klevin, se flet me gjuhën e Berishës… Thjesht, mjerane!!! Klevi Pojana rrjedh nga një familje e majtë tradicionale, patriote, e ndershme dhe me dinjitet. Klevi sot është një ndër studentët më të shkëlqyer të Fakultetit të Drejtesisë në Tiranë”, tha ai.