Në momentin kur Vasilika Hysi falënderoi ekspertët e huaj që punuan për reformën në drejtësi, kryeministri Edi Rama nuk i rezistoi batutave. Në foltoren e përgatitur në Pallatin e Brigadave, deputetja po fliste për punën me ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, kur Rama ia ndërpreu fjalën dhe u afrua tek mikrofoni.   

“Desha të ju them një detaj, që kur bënim mbledhje grupi, Vasilika vinte si përgjumësh. Dhe unë i thosha: Vasilikë ça ke? Më shkatërruan, thoshte, Xhoni me Rajnerin gjithë natën…”

Të pranishmit shpërthyen në të qeshura me humorin e Edi Ramës, ndërsa Vasilika Hysi u përpoq të vazhdojë fjalën, sikur nuk e kishte kuptuar batutën.

Ajo vazhdoi të fliste për ekspertët dhe për reformën, në përpjekje për të mos e banalizuar situatën.

“Ka qenë përvoja më e bukur ….” tha deputetja, që siç duket zgjodhi fjalët e gabuara. E qeshura e kryeministrit mori hov edhe më shumë.

E vënë në siklet, ajo buzëqeshi dhe vazhdoi:

“Kemi fituar shumë nga qetësia e Xhonit dhe këmbëngulja e Rajnerit. Shumë faleminderit të dyve, pavarësisht se Rajneri dhe Aurela nuk janë këtu por…”

I entuziasmuar nga suksesi me batutat dhe me të pranishmit që qeshnin pas tij, Rama lëshoi një tjetër kunjë: “A ishte edhe Aurela ee?”

Shumë prej atyre që ishin në Pallatin e Brigadave ulën kokat instiktivisht, për të mos vazhduar me të qeshurat. Përveçse me një deputete të Partisë Socialiste, kryeministri po tallej me një zonjë. I vetmi që u gajas në transmetim direkt në të gjitha televizionet ishte Edi Rama. /Lapsi.al