Ambasadori i SHBA, Donald Lu ka mbajtur një fjalim prekës në Pallatin e Brigadave në një pritje me rastin e miratimit të reformës në drejtësi në Parlament.
Lu tha se gjatë viteve të fundit kishte marrë shumë mesazhe nga qytetarë të thjeshtë, që i ankoheshin sesi njerëz të korruptuar në sistemin e drejtësisë u kishin vjedhur pronën.
Ambasadori amerikan pasi ka denoncuar disa herë pasurinë e njerëzve të korruptuar të drejtësisë, këtë herë sulmoi dhe politikanët.
“Gjatë vitit të fundit mijëra njerëz nga i gjithë vendi e kanë kërkuar reformën në drejtësi. Qindra qytetarë të zakonshëm u mblodhën javën e kaluar në Tiranë me pankarta të thjeshta në duar në zhegun përvëlues të verës. U mblodhën sërish para Kuvendit në pikë të diellit duke brohoritur për reformën, ndërsa Mercedezët dhe BMV-të e zeza me ajër të kondicionuar të politikanëve kalonin para tyre” u shpreh Lu.
“Ata ishin të moshuar, pensionistë dhe të papunë. Ata kërkonin një gjë të thjeshtë: Drejtësi! Jam i kënaqur të udhëheqësit politikë i dëgjuan dhe e merituan. Rezistenca ndaj kësaj reforme ishte e vërtetë, u desh kurajo që të dëgjohej zëri i qytetarëve. Uroj që udhëheqësit ta zbatojnë plotësisht këtë reformë. Urime popullit shqiptar, fitorja është e juaja!”





