Abdulla Tafa, shkrimtari kavajas është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Kavajës pas vdekjes. Me rastin e ditëlindjes së tij, një ceremoni e veçantë me miq, shkrimtarë e dashamirës të familjes është zhvilluar në një prej lokaleve buzë detit në Durrës.

Të pranishmit në këtë aktivitet kanë vlerësuar punën e palodhur të shkrimtarit, estet, kritik arti, ligjërues në auditore kombëtare dhe ndërkombëtare mbi personalitete të artit dhe kulturës dhe dukuri të artit modern e post modernist.

Shkrimtarët e vlerësojnë si antikomformist, ndërsa miqtë e familjarët si mikun e dashur të çmuar e të rrallë, për virtytet e tij.

Pirro Rexhepi ka ardhur nga Nju Jorku për të folur mbi veprën e shkrimtarit kavajas duke nëvizuar veçoritë e personalitetit të shkrimtarit, ndërsa bashkia e Kavajës e përkujtojnë shkrimtarin një vit pas ndarjes nga jeta me titullin “Qytetar Nderi”.

Për vajzën e tij, Ajkuna Hope, 27 korriku është ditë e shënuar për familjen e tij.

Shkrimtari, poeti, esteti dhe studiuesi Abdulla Tafa u nda papritur nga jeta, pas një sëmundje të rëndë, një vit më parë në Neë York. Si poet, ai do të kujtohet për disa botime me poezi, ku do të veçonim “Place de la Concorde”, ndërsa si estet për monografinë “Kodra i Madh”, dedikuar veprës së piktorit Ibrahim Kodra, “Ave Musicus”, dedikuar dirigjentit dhe kompozitorit Mustafa Krantja, por edhe një numër esesh të botuara në një numër punimesh kolektive, kryesisht mbi artin pamor, muzikën dhe etnografinë.

Place de la Concorde, vëllim me poezi dhe ese, viti 2002, është një përmbledhje përfaqësuese e shpirtit të tij poetik, e artistit modern e post modern. Kjo frymë ishte e pranishme edhe gjatë bisedave me të dhe prezantimit të artistëve të tjerë, gjithmonë me bujari e pozitivitet, duke hedhur bazat e një esestetike ndryshe, të distancuar nga kritika e politizuar e praktikuar shpesh, ende sot në “perandorinë” e letrave shqipe.

 

Abdulla Tafa lindi në Kavajë, në vitin 1947. Diplomuar në Fakultetin e Filologjisë tek Universiteti i Tiranës si dhe ka drejtuar gazetën Studenti në rolin e zvendës kryeredaktorit. Drejtues në vite i Muzeut Etnografik të Kavajës dhe përfaqësues i Shqipërisë për Akademinë Evropiane të Arteve (A.E.A), dega e Kosovës. Si kritik arti ka realizuar edhe disa vlerësime për katalogë prestigjozë të grave piktore të njohura në vendet gjermanike; si dhe studime vlerësues mbi artistët pamor si piktori Jetullah Haliti, kandidati për Nobelin e Paqes nga Kosova dhe Shkëlqim Meçaj nga Fieri. I specializuar në Euro-Kulturologji dhe Euro – Art, studjuesi i arteve Abdulla Tafa është autor i një kolane veprash studimore mbi personalitete të rëndësishme si piktorit shqiptar i njohur ndërkombëtarisht Ibrahim Kodra – “Një Univers”dhe dirigjentit Mustafa Krantja – “Ave Musicus”. Esetë, poezitë dhe lektrimet akademike janë përmbledhur në veprën e tij antologjike “La Place de la Concorde”, 2002. Vlerësohet nga Akademia Evropiane e Arteve (A.E.A) me Medaljen e Artë evropiane si poet dhe studjues në konkursin e 35-të në Gembloux, Bruksel, Belgjikë.