*A janë dakord sipërmarrësit vendas që porti i Durrësit, të kthehet në port turistik, dhe mallrat të kalojnë në portin e Karpenit në Kavajë?
Terminali Lindor i Trageteve, i Kontejnerëve, shërbimet pothuajse të gjitha, janë dhënë me koncesion e janë privatizuar. Për çdo cm e pëllëmbë toke në portin e Durrësit, koncensionarët e privatët nuk falin. Madje për vite me radhë koncesionari gjerman i kalatës lindore pati sherr me dy kompani të ngarkim – shkarkimit, deri sa arriti t’i përzinte prej kësaj kalate, për të cilën pretendon ekskluzivitetin e shërbimeve.
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, nga Durrësi ka deklaruar se do të jenë tre ministri ato që do të vendosin të ardhmen e këtyre porteve. Deri tani në fillim të negocimeve është hedhur ideja që porti i Durrësit të marrë karakteristikat e një porti turistik, për të pritur pushuesit me kroçera, ndërsa i Karpenit në Kavajë të jetë për transportin e mallrave.
“Qeveria shqiptare sa ka kaluar në parlament miratimin e një procedure për këtë investim strategjik. Tre ministri do të ulen së bashku me investitorin propozues të portit. Porti do të jetë një nyje shumë e rëndësishme transporti në Ballkan e më gjerë. E ardhmja e porteve tona në funksion të turizmit”.
Janë investitorët e mëdhenj ata që kanë marrë me koncesion kalatat e shërbimet në portin e Durrësit, që ende nuk kanë folur për projektet e paraqitura deri tani,nga Ministria e Ekonomisë.
K.H.





