Deputeti demokristian Nard Ndoka ka reaguar ashpër për koncesionin me pagesë të Rrugës së Kombit, pasi Ministria e Transporteve shpalli fituese të tenderit kompaninë turke “Vendeka Bilgi”, e cila do të investojë në mirëmbajtjen e kësaj autostrade. Kjo kompani do të ketë me koncesion për 30 vite Rrugën e Kombit dhe kalimi do të bëhet me pagesë prej 4.16 eurosh.

Deputeti Ndoka duke ironizuar tarifën e lartë që mjetet duhet të paguajnë për të kaluar, shkruan në “Facebook” se për 5 shekuj me radhë turqit nuk mundën ta pushtonin dot dhe po e bëjnë tani (figurativisht) me ndihmën e qeverisë shqiptare.

Statusi  i deputetit Nard Ndoka:

Turqit “pushtojnë” krahinën e Mirditës me ndihmën e qeverisë shqiptare!

Shqiptarët për të kaluar ne trojet e tyre duhet ti paguajnë turqve haraç 145 lira turke.

Për pesë shekuj me radhë osmanllijtë nuk mundën të hyjnë dhe as të pushtojnë krahinën e trojet e Mirditës.

Mirditorët me qëndresën e tyre, me lidhjet e ndihmën e perëndimit arritën t’i ruajnë trojet e tyre nga pushtuesit turq për shekuj me radhë.

Patën dhe ruajtën vetëqeverisjen e tyre, nuk e njohën dhe nuk i paguan asnjëherë haraç pushtuesve turq, me gjithë orvatjet e herëpashershmëve të turqve për të hyrë dhe pushtuar të vetmen krahinë që mundi të rezistojë.

Ky fakt e bëri atë krahinë të paprekshme edhe në besimin e tyre të Krishterë, si një vlerë kombëtare.

Atë që osmanllijtë nuk mundën ta bënin me lufte, dhunë e joshje, sot turqit ‘modern’ me ndihmën e qeverive shqiptare kanë arritur ta ‘pushtojnë’ ekonomikisht.

Së pari, duke ndërtuar hidrocentral në zemër te Mirditës dhe tani së fundi duke i vendosur ‘haraç’ 145 lira turke çdo mirditori që kalon në trojet e veta të pa pushtuara asnjëherë ndër shekuj, as nga pushtuesit e tjerë.

Fijet e ‘puçit’ të Erdoganit në Shqipëri tashmë duken qartazi dhe haptaz. Tendenca e ‘pushtimit’ ekonomik dhe ndikimeve të rrymave ekstremiste islamike janë prezent dhe rrezikshëm kudo ku ato e konsiderojnë anadoll, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë.

Erdogani ka ndërtuar xhami ne trojet shqiptare për 20 vite disa herë më shumë, se kanë ndërtuar pushtuesit osmanllij për pesë shekuj së bashku.

Qeveria shqiptare duhet të shkundet nga pluhuri dhe vetëdija kombëtare dhe të mbrojë shtetasit e vet nga tendencat dashakeqase për ‘pushtim’ alla Erdogan.