Një video u publikua dje nga portali “Jetaoshqef”, në të cilën shihej se një sherr kishte ndodhur në një parukeri në rrugën e Durrësit. Një vajzë u nxorr për flokësh jashtë dhe sherri vijoi edhe në rrugë.

Ngjarja ka ndodhur në ambientet e parukerisë së Merita Merjes, e njohur si parukierja e personazheve VIP që e frekuentojnë.

Më shumë detaje u zbuluan kur përsëri, “Jetaoshqef” publikoi mesazhin e vajzës protagoniste të ngjarjes. Ajo kishte dërguar sqarimin e plotë të asaj që kishte ndodhur në parukeri, për të mos lejuar keqkuptime. Bëhej fjalë për një sherr të lindur me parukieren Merita, pasi klientja ka pasur pakënaqësi për shërbimin e marrë. (lexo: http://durreslajm.com/kronike/e-nxorr%C3%ABn-p%C3%ABr-flok%C3%ABsh-nga-parukeria-rr%C3%ABfehet-vajza-e-dhunuar

Sipas vajzës, boja e përdorur kishte shkaktuar dëmtim të lëkurës së kokës dhe për këtë gjë nuk kishte pranuar të paguante duke kërkuar edhe që të kishte një ndjesë për dëmin e shkaktuar. Kjo ka mjaftuar sipas vajzës që të niste sherri që përfundoi edhe në dhunë fizike. (lexo: http://durreslajm.com/kronike/vajz%C3%ABn-e-nxjerrin-p%C3%ABr-flok%C3%ABsh-nga-parukeria-n%C3%AB-rrug%C3%ABn-e-durr%C3%ABsit-nd%C3%ABrhyn-policia-video)

Sot, policia e kryeqytetit, ka njoftuar zyrtarisht se ka nisur procedim penal ndaj parukieres Merita Merja, e cila akuzohet për “dëmtime të tjera me dashje”.

Njoftimi i policisë:

Më datë 26.07.2016, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen Merita Merja, vjeç 40, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se rreth orës 15:00, në rrugën e “Durrësit”, ka rrahur shtetasen Arta Tola, vjeç 27, banuese në Sauk. Neni 90 i Kodit Penal “dëmtime të tjera me dashje”.